Lloga: Kërkesa për dhënien e provimit të Jurisprudencës edhe në shqip u dërgua në Kuvend, por e tërhoqën nga procedura pa asnjë arsyetim
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar në Facebook për kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut për mbajtjen e provimit të jurispodencës edhe në gjuhën shqipe.
Lloga sqaron se ky ligj edhe pse u dorëzua në Kuvend në janarin e vitit 2024, i njejti është tërhequr nga procedura parlamentare.
Ai ka hedhur akuza edhe ndaj partnerit shqiptar në qeveri, koalicionit VLEN, që sipas tij do të duhej të zgjidhnin këtë problematikë e jo të detyrohen studentët të nënshkrujnë peticione.
Reagimi i plotë:
Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës është dorëzuar në Kuvendin e RMV-së më 24 janar 2024. Këtij veprimi i është paraprirë duke krijuar nga ana ime si Ministër i Drejtësisë edhe Komisionin i ri për dhënien e provimit të Jurisprudencës, ku në cdo provim, njëri nga dy profesorët ishte shqiptar - parakusht ky për zbatimin e ndryshimeve ligjore, përkatësisht që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe. Fatkeqësisht, me ardhjen e Qeverisë VLEN–OBRM-PDUKM, propozimligji u tërhoq nga procedura parlamentare pa asnjë arsyetim, as nga Qeveria/Ministria e Drejtësisë dhe as nga Kryetari i Kuvendit dhe partneri qeveritar, z. Afrim Gashi.Ky akt qyqar i kësaj qeverisjeje të dobët dëshmon edhe njëherë pafuqinë politike të një grumbulli partish që vetes i kanë vënë emrin VLEN, por që nuk vlejnë as pesë pare. Kjo situatë tregon thelbin e tyre: se nuk janë të zotë të hedhin asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së problemeve, në asnjë fushë, bile as aty ku të tjerët ua kanë lënë materialet e gatshme mbi tavolinë.Sot, studentët shqiptarë detyrohen t’u drejtohen institucioneve dhe titullarëve të këtyre institucioneve përmes peticionesh – si pasojë direkte e paaftësisë dhe pafuqisë së disa qeveritarëve shqiptarë të nënshtruar, por edhe si rezultat i veprimeve të disa politikanëve albanofobë maqedonas nga ZNAM dhe OBRM-PDUKM.


