Liria dhe Dinamo Ferizaj në play-off, Vëllaznimi mbetet në Ligën e Parë
Liria e Prizrenit ka demoluar në udhëtim Dinamo Ferizaj për ta siguruar play-offin, pra siç e njohim barazhin – me synimin për inkuadrimin në elitë.
Skuadra e Ismet Munishit zhvilloi një paraqitje fenomale për të fituar me rezultat 1-5.
Liria e nisi fuqishëm për të avancuar falë Dijar Nikqit, ndërsa për golin e dytë u përkujdes qendërmbrojtësi Muhamed Useini.
Albion Kurtaj pastaj realizoi një gol fantastik për ta dërguar rezultatin në 0-3.
Nikqi pastaj doli sërish në skenë për ta shënuar golin e katërt për prizrenasit, ndërsa goditjen finale ua dha Vigan Ademi.
E tëra që bëri Dinamo Ferizaj ishte goli i nderit falë kapitenit Enhar Cakolli, i cili shënoi pas penalltisë së humbur të Sokol Kiqinës.
Kësisoj, Liria e mbyllë kampionatin në Ligën e Parë si vend i tretë, dhe do të përballet me pozitën e katërt, pra Dinamo Ferizajn, për ta siguruar finalen e barazhit.
Rikujtojmë, fituesi i kësaj ndeshje do të luajë ndaj vendit të tetë të Superligës së Kosovës, për pozitën e fundit të elitës për edicionin e ardhshëm, 2026/27./Telegrafi/


