LDK kundër zgjedhjeve të reja, ofron dy opsione për zgjedhjen e presidentit
Në prag të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nuk e sheh të nevojshme shkuarjen në zgjedhje të reja dhe është e gatshme të kontribuojë për një zgjidhje politike.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, tha se qëndrimi i përbashkët i 15 deputetëve të pranishëm është që zgjedhjet në këtë fazë janë të panevojshme dhe të shmangshme.
“Patëm një takim të grupit parlamentar të LDK-së ku morën pjesë 15 deputetë. Qëndrimi i përbashkët është që zgjedhjet janë të evitueshme, të shmangshme dhe të panevojshme në këtë fazë”, deklaroi Mustafa.
Ai theksoi se LDK është e gatshme të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit në dy drejtime.
“LDK jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit në dy drejtime: e para, një konsensus i gjerë politik me një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike dhe e dyta, një marrëveshje politike klasike në këtë rast mes LVV-së dhe LDK-së”, u shpreh ai.
Sipas Mustafës, pa Lëvizjen Vetëvendosje nuk mund të ketë zgjidhje, duke qenë se ajo ka 66 deputetë në Kuvend.
“LVV i ka 66 deputetë dhe në asnjë format kjo gjë nuk bëhet pa ta. Deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim zyrtar formal për asnjë emër”, tha Mustafa.
Ai shtoi se grupi parlamentar i LDK-së është unik, dhe deri në këto momente nuk ka asnjë marrëveshje politike
I pyetur nëse LDK do ta votonte Vjosa Osmani për presidente, ai nuk dha përgjigje konkrete.
“Nuk është problem hezitimi, por nuk mund të komentoj kandidatura individuale sepse deri tash nuk kemi asnjë kandidaturë zyrtare që së paku ka 30 nënshkrime”, deklaroi ai.
Mustafa shtoi se partitë politike duhet të jenë gjithmonë të gatshme për zgjedhje, por theksoi se në këtë moment ato janë të panevojshme.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë për takime të serishme me Vetëvendosjen.
“Kemi afat deri më 5 mars në orën 24:00 që të zgjedhim presidentin. Jemi të hapur për takime”, përfundoi ai.
I pyetur për ndonjë emër të mundshëm, përfshirë Glauk Konjufcën, Mustafa ka thënë se “zyrtarisht nuk ka një propozim”. /Telegrafi/


