Lamtumirë "Goodison Park" pas 132 vitesh: Evertoni mbyll epokën me stadiumin legjendar
Në takimin e xhiros të 37-të të Ligës Premier, Evertoni mposhti Southamptonin me rezultat 2-0 në stadiumin historik Goodison Park. Kjo ndeshje, ndonëse pa rëndësi në tabelë, ishte mjaft emocionale për vendasit, pasi shënoi fundin e një epoke 132-vjeçare në këtë impiant legjendar.
Dy golat e Iliman Ndiaye i sigurojnë Evertonit një mbyllje dinjitoze në shtëpinë e tyre tradicionale. Skuadra tashmë e ka siguruar mbijetesën në elitën e futbollit anglez, ndërsa Southampton kishte humbur çdo shans për qëndrim.
Nga sezoni i ardhshëm, Everton do të zhvendoset në stadiumin modern të Bramley-Moore Dock, me kapacitet prej 52,888 ulësesh dhe kosto rreth 960 milionë euro. Goodison Park, i ndërtuar në vitin 1892, do të shërbejë si shtëpi e ekipit të femrave të Evertonit.
Atmosfera në stadium ishte madhështore. Tribunat u mbushën gati një orë para fillimit të ndeshjes, ndërsa legjendat e klubit u rreshtuan në fushë gjatë himneve tradicionale. Pamje prekëse treguan shumë tifozë në lot, të vetëdijshëm se po përjetonin një moment historik.
“Ndonëse është e dhimbshme të largohemi nga kjo shtëpi, besojmë se po nisim një kapitull të ri që do të na sjellë një të ardhme më të ndritur,” deklaroi trajneri David Moyes.
Goodison Park ishte skena e 2,791 ndeshjeve të Evertonit. E para u luajt më 2 shtator 1892, ku Everton mposhti Boltonin 4-2. Rekordi i pjesëmarrjes u vendos më 18 shtator 1948, kur 78,299 tifozë ndoqën derbin ndaj Liverpoolit.
Everton nuk ka fituar një trofe të madh në tri dekadat e fundit, por historia e klubit është e pasur. Vetëm Liverpool, Manchester United, Arsenal dhe Manchester City kanë më shumë tituj të ligës se “The Toffees”, që mbeten me 9 kampionate në historikun e tyre. /Telegrafi/


