Lagjia Kalabria në Prishtinë po bëhet me çerdhe të re publike
Banorët e lagjes Kalabria në Prishtinë së shpejti do të kenë një çerdhe të re publike, pasi pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e këtij objekti në afërsi të ambulantës.
Lajmin e ka bërë të ditur banorë e lagjes, duke njoftuar se janë informuar nga drejtori i Arsimit Arianit Elshani se punimet do të nisin në një të ardhme të afërt.
Sipas njoftimit, realizimi i këtij projekti vjen pas kërkesave të vazhdueshme të banorëve dhe angazhimit për adresimin e nevojave të familjeve të reja në këtë lagje.
“Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë banorët, sidomos për familjet e reja. Pas kërkesave të vazhdueshme dhe angazhimit tonë si ekip për ta ngritur këtë nevojë pranë institucioneve, po shohim se prioritetet e lagjes po fillojnë të realizohen”, thuhet në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se brenda këtij muaji pritet të vendoset edhe gurthemeli i çerdhes së re publike një moment që, sipas tyre do të shënojë një hap të rëndësishëm për lagjen Kalabria.
Për këtë projekt është falënderuar edhe drejtori i Arsimit, Arianit Elshani, për mbështetjen dhe angazhimin në realizimin e tij. /Telegrafi/


