Please enter at least 3 characters.

La Decima, Reali dhe klubet e suksesshme

2016/01/la-decima-reali-dhe-klubet-e-suksesshme_hd.jpg

Në fazën e eliminimit direkt, viktima të Los Blancos ishin gjermanët. Schalke (të tetën e finales), Borussia Dortmund (çerekfinale) dhe Bayern Munich (gjysmëfinale), ishin pengesat lehtë të kalueshme nga Mbretërit. Në finalen magjike patën përballë Atletico Madridin. Los Rojiblancos patën epërsinë deri në minutat shtesë kur një gol i Sergio Ramos ndryshoi gjithçka dhe në vazhdime, Reali shënoi edhe tre gola të tjerë për të fituar me rezultat 4-1.

Kupa e Mbretit ishte trofeu i dytë i sezonit të kaluar, të cilin Merengues e fituan duke mposhtur në finale rivalin e përbetuar, Barcelona. Vetëm titulli i La Ligas u mungoi Mbretërve në sezonin e kaluar. Ata e përfunduan edicionin 2013/2014 në vend të tretë, prapa Atletico Madridit dhe Barcelonës.

Sezoni i ri e gjen Realin në krye të tabelës së La Ligas dhe me ‘el Clasicon’ e parë të fituar kundrejt Blaugranëve. Në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, kampioni në fuqi njohu vetëm fitore duke i fituar të gjashtë ndeshjet. Në të tetën e finales ka për kundërshtar Schalken. Vitin që lamë pas, Real Madridi e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme duke u shpallur kampion bote për klube.

Rivali lokal i Mbretërve, Atletico Madridi, i befasoi të gjithë duke e fituar La Ligan (2013/2014) kur dihej se kishte për rivalë të mëdhenjtë – Barcelona dhe Real Madrid. Të zgjedhurit e Diego Simeones madje arritën të luajnë në finale të Ligës së Kampionëve, ku për pak sa nuk fituan. Edhe në këtë sezon, Los Rojiblancos konkurrojnë me Realin dhe Barcën për titullin e La Ligas dhe njëherësh gjenden në fazën eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve (luajnë kundër Bayer Leverkusen).

Viti 2014 ishte i suksesshëm për Bayern Munichun që fitoi Bundesligan dhe DFB Pokal. I vetmi dështim i ekipit të Pep Guardiolas në sezonin e kaluar ishte humbja nga Real Madridi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Edhe në këtë sezon bavarezët vazhdojnë të dominojnë në kampionatin gjerman, ku pritet të shtojnë edhe një trofe në sirtarin e tyre. Ngjashëm pritet të ndodhë edhe në Kupë. Derisa në Ligën e Kampionëve (në të tetën e finales) do të kenë punë me Shakhtar Donetskun.

Juventusi vazhdon të dominojë në Serie A dhe njësoj ndodhi edhe në vitin 2014. Zonja e Vjetër u shpall kampion në edicionin 2013/2014, ndërsa në sezonin e ri është lider dhe favorit për ta fituar sërish Scudetton. Gjërat nuk shkuan mirë në Evropë për Bianconerët në sezonin e kaluar, kur u eliminuan që në fazën grupore. Ndryshe ndodhi këtë edicion, me ç’rast ata arritën që ta kalonin grupin dhe në të tetën e finales do të luajnë kundër Borussia Dortmundit.

I suksesshëm ishte viti që lamë pas sidomos për Manchester Cityn që u shpall kampion i Anglisë (2013/2014), ndërsa në sezonin e ri ka vazhduar në fazën e eliminimit direkt, ku ka përballë Barcelonën. Në Ligën Premier, po e ndjek Chelsean nga pozita e dytë në tabelë.

Me kthimin e Jose Mourinhos gjërat kanë ndryshuar te Chelsea. Blutë janë liderë të Ligës Premier dhe janë kualifikuar në të tetën e finales të Ligës së Kampionëve, ku për kundërshtar e kanë Paris Saint-Germainin.

Trofeu i parë i Arsenalit pas shumë vitesh – Kupa FA, erdhi pikërisht në vitin 2014. Pos kësaj, djemtë e Arsene Wenger siguruan pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe në të tetën e finales këtë sezon luajnë kundër Monacos.

Dominimi i Paris Saint-Germainit në Ligue 1 vazhdoi edhe në edicionin 2013/2014 kur u shpall kampion i Francës. Sezonin e ri nuk e filloi aq mirë, sidomos për shkak të lëndimit të Zlatan Ibrahimovicit, megjithatë mbetet favorit për titull edhe pse nuk është lider. /Telegrafi/