Kuvendi tërhiqet nga rasti “Kiçina”
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka kërkuar që procesverbali i seancës t’i dërgohet organeve gjyqësore për të shqyrtuar edhe njëherë këtë rast.
“Ne e kemi dëgjuar debatin me vëmendje i cili është zhvilluar këtu, është diskutuar dhe debatuar gjerë e gjatë. Nga diskutimet janë ngritur disa dyshime, prandaj ne kërkojmë që ky procesverbali t’i dërgohet organeve përkatëse që të bien vendimin e duhur”, ka thënë Grabovci, raporton “KosovaPress”.
Edhe udhëheqësi i seancës, Jakup Krasniqi ka thënë se propozimi i Grabovcit është më i miri në këtë rast.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se për debatuar në lidhje me këtë rast LDK, ka qenë kundër edhe seancën e kaluar.
“Diskutimi i vendimeve të gjykatave individuale është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe e kemi thënë edhe seancën e fundit”, ka theksuar Gashi.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kërkuar që të votohen rekomandimet dhe të formohet komisioni që është paraparë.
“Ne mbesim pas asaj që kemi nënshkruar kërkesën e Ramiz Lladrovcit. Ne kërkojmë që kjo të hidhet në votim dhe të krijohet komisioni. Procesverbali le t’i dërgohet organeve gjyqësore, por duhet të krijohet komisioni”, ka thënë Ymeri
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka përkrahur propozimin e PDK-së. Pas hedhjes në votim me shumicë votash është hequr nga rendi i ditës, votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar për rastin “Kiçina”, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, i mbështetur nga deputetët nënshkrues.
Në këto rekomandime është kërkuar që të krijohet një Komision Ad-hoc për të shqyrtuar edhe njëherë vendimin e Gjykatës për rastin “Kiçina”. /Telegrafi/


