Kush është Bubrreci i Pejës?
Me këtë emër ka ndërtuar perandorinë e tij të biznesit, duke hapur dhe mbajtur me dekada një rrjet dyqanesh në Pejë, aty ku edhe sot e njohin atë si Bubrrec, e zonat ku ka punuar, i thërrasin “Te Bubrreci”.
“Emri nuk të bën njeri, por puna”, ka përsëritur ai refrenin që e kishin thënë edhe shumë të tjerë para tij, për të treguar se asnjëherë në jetë nuk është ndier keq me këtë emër, përkundrazi.
E pagëzuan, por kurrë nuk e thirrën Ali.
Ai kishte lindur më 1943, në Zllapek të Pejës, dy muaj pasi që i ati kishte ndërruar jetë. Familjarët kishin vendosur që me emrin e të ndjerit, Aliut, ta pagëzonin të sapolindurin. Por, kjo ide nuk i kishte pëlqyer vëllait të të ndjerit, meqë e kishte pasur të vështirë të shqiptonte emrin e vëllait të vdekur.
Axha ishte shumë i lidhur emocionalisht me nipin, mbase edhe për shkak të humbjes së vëllait, dhe kishte nisur ta thërriste me emër përkëdhelës, Bubrrec. Edhe të tjerët ishin mësuar ta thërrisnin me nofkë dhe nuk kishte rastisur asnjëherë ta thërrisnin me emrin e vërtetë, Ali. Dhe, kur kjo familje u zhvendos në Raushiq, në qendrën e regjistrimit të këtij fshati e kishin regjistruar po me emrin Bubrrec. Edhe tash, kur ka mbushur 71 vjet, në Pejë dhe rrethinë e atë e njohin si Bubrrec Kelmendi.
"Dy muaj pasi që kishte vdekur baba, kishin vendosur që ta ripërtërinin emrin e babës dhe të më quajnë Ali. Por axhës tim i vinte rëndë të më thërriste në atë emër dhe më thërriste Bubrrec. Kështu iu kishte thënë edhe familjarëve të tjerë të më thërrisnin në prezencën e tij. Duke më thënë Bubrrec, më ka mbetur ky emër që kam tani. Pasi që u shpërngulëm në fshatin Raushiq, dikush që as vetë nuk e di, më ka regjistruar me këtë emër, që zyrtarisht edhe në dokumente quhem Bubrrec Kelmendi ", ka rrëfyer Kelmendi, teksa tregon edhe letërnjoftimin si dëshmi. /Koha Ditore/


