Kukaj: Nuk duhet ta na kaplojë euforia
Futbollisti kosovar thotë se ndeshjet ndërkombëtare janë të mirëseardhura për futbollistët kosovarë, duke e pasur parasysh se futbolli ynë mbetet ende i izoluar.
Ai pret një lojë të mirë, në të cilën, rezultati është në plan të dytë. “Po kalojmë shumë mirë, është një mikpritje e ngrohtë e vendësve. Është një qytet i vjetër dhe përshtypjet e para janë të mira”, tha për Gazetën ‘Zërin’ fillimisht qendërmbrojtësi, për përshtypjet e tij për qytetin e Sivasit.
“Sigurisht, ky është një rast i mirë për ne. Sidomos për djelmoshat e rinj, që ta tregojnë veten dhe ta shohin se sa larg apo afër futbollit evropian janë. Pres një lojë të mirë, me një angazhim dhe kujdes të madh, besoj se do të dalim mirë. Nuk duhet ta na kap euforia dhe nuk duhet të kemi tremë që po luajmë me një klub si Sivasspori”, vazhdoi mbrojtësi stabil.
“Çdo ndeshje ndërkombëtare është e mirëseardhur për ne. Të rinjtë e ekipit tonë do ta kenë mundësinë ta shohin se si punohet në Evropë dhe se si duhet vepruar nëse duan të arrijnë rezultate”, përfundoi Kukaj.
Kosova luan nesër me Sivassporin, në Kupën e Republikës. Ndeshja fillon në orën 17:30, me orën lokale të Kosovës.


