Köstner trajneri i ri i Shqipërisë
Sporti Shqiptar raporton se gjermani 59-vjeçar ka arritur një marrëveshje me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, dhe pritet të nënshkruajë kontratë të enjten, kur do të arrijë në Shqipëri.
Federata Shqiptare raportohet se do t’i ofrojë Köstner kontratë dyvjeçare dhe një shumë që kap vlerën 400 mijë euro. Përveç kësaj gjermani do të ketë në dispozicion edhe një apartament me qira si dhe një veturë për lëvizje të lirë.
Ish-trajneri i Wolfsburgut nuk do të drejtojë Shqipërinë në miqësoren e të premtes kundër Azerbajxhanit, por ai mund të jetë i gatshëm për sprovën e parë në miqësoren e javës së ardhme ndaj Maqedonisë.
Lorenz Günter Köstner do të jetë trajneri i 6-të i huaj që drejton përfaqësuesen e Shqipërisë gjatë epokës “Duka”, pas Giussepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Baric, Arie Han dhe të fundit, Josip Kuzhe.
Së fundi u spekulua se kombëtarja do të mund të merrej në dorë nga një trajner shqiptar, por kandidati kryesor për këtë post, kosovari Besnik Hasi, refuzoi ofertën e Federatës Shqiptare. /Telegrafi/


