Kosova anëtare e plotë e Federatës Botërore të Taekwondo-së
Federata kosovare ishte pranuar ndërkombëtarisht qysh në vitin 2013, por me të drejta të kufizuara, dhe ky pranim i jep të drejta të plota asaj.
“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se Asambleja Gjenerale e Federatës Botërore të Taekwondo-së në mbledhjen e mbajtur sot në Chelyabinsk të Rusisë ka ratifikuar anëtarësimin e Kosovës si anëtar me të drejta të plota. Ky proces është vazhdimësi e pranimit tonë në vitin 2013, pasi paraprakisht në vitin 2012 i ishte dhënë drita jeshile nga Komiteti për Çështje Juridike i kësaj Federate”.
“Asambleja unanimisht aprovoi ndërrimin e statusit të anëtarësisë nga anëtar i përkohshëm në anëtar të përhershëm, çka nënkupton se tani FTK do ta ketë edhe të drejtën e votës ne organet vendimmarrëse te WTF, pasi deri me tani i gëzonte të gjitha të drejtat tjera si përfaqësimi në të gjitha aktivitetet e saj, prania si vëzhgues në asamble gjenerale, përdorimi i flamurit dhe himnit etj.”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Federata e Taekwondo-së së Kosovës. /Telegrafi/


