Please enter at least 3 characters.

Komunat kërkojnë financimin e UShAF-it, rektori Bajraktari: Çeku po synon ta mbyllë universitetin

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) rrezikon të mbetet pa financim nga 1 janari i vitit 2027, pasi në planifikimin buxhetor për vitet 2027-2029 nuk është paraparë asnjë mjet financiar për funksionimin e tij. Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar rektori i universitetit, Agron Bajraktari, ndërsa mbështetje për institucionin kanë shprehur edhe Komuna e Ferizajt, ajo e Kaçanikut dhe e Vitisë.

Bajraktari tha se dokumentet e planifikimit buxhetor nuk parashohin financim në asnjërën nga kategoritë buxhetore.

"Ju konfirmoj që në planifikimin buxhetor për vitin 2027 si dhe në kornizën afatmesme 2027, 2028 dhe 2029 nuk është parapa asnjë cent për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në të gjitha kategoritë e pagesave që janë: paga-mëditje; mallra-shërbime, subvencione, investime kapitale, gjithashtu në këtë planifikim buxhetor nuk është asnjë punëtor i paraparë për vitin që vjen, domethënë edhe për 2027, 2028 dhe 2029", tha ai.

Sipas rektorit, mungesa e financimit nënkupton se edhe stafi aktual nuk është paraparë të vazhdojë punën pas fillimit të vitit të ardhshëm.

"Momentalisht jemi 58 punëtorë, këta 58 punëtorë nuk janë parapa që të vazhdojnë punën pas një janarit 2027", tha Bajraktari.

Foto: Agron Bajraktari, rektor i UShAF

Ai shtoi se universiteti nuk ishte njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit për këtë vendim, por informacionin e kishte siguruar nga dokumentet e dorëzuara në Ministrinë e Financave.

"Ne fillimisht nuk jemi njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbi mungesën e buxhetit, përkatësisht buxhetit zero për universitetin tonë. Ne kemi marrë informacione me rrugë tjera. Kemi siguruar edhe materialin që është dorëzuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Ministrinë e Financave dhe e kemi pa që jemi zero", u shpreh ai për Telegrafin.

Bajraktari foli edhe për një takim që, sipas tij, ishte zhvilluar me ministrin në detyrë të Arsimit, Hajrulla Çeku.

"Në një takim që kemi pas në ministri me ministrin Hajrullah Çeku, ministri ka thënë: Kjo është punë e imja, unë jam zoti shtëpisë, unë nuk e di kur hapi një universitet, kur mbylli një universitet, kjo është krejt në ingerencën time dhe unë kam parapa kështu dhe këto janë hapat e parë që unë kam ndërmarrë edhe në atë universitet, unë do të dërgoj inspektorë, auditorë, do të dërgoj trupa tjerë shtetërorë për të pa se si është situata dhe për të marrë këtë që kam ba ta vë në jetë, që i bie: Edhe pse s'kam ndarë buxhet, unë do të vijë, do të prodhoj materiale, do të formoj komision dhe do ju ndjekë", deklaroi Bajraktari.

Pavarësisht situatës, ai tha se universiteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të vazhduar funksionimin.

"Mesazhi im për studentët, stafin, qytetarët e regjionit të Ferizajt dhe të gjithë Kosovës, sektorin e industrisë dhe të biznesit me të cilët ne bashkëpunojmë ngushtë, është që ne nuk do të lejojmë të mbyllet Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore që ky proces të mos ndodhë", tha ai.

Rektori theksoi se UShAF është universiteti i vetëm publik i shkencave të aplikuara në Kosovë dhe vlerësoi rezultatet e arritura ndër vite.

"Jemi Universiteti i vetëm i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, është i vetmi në Kosovë, jemi universitet unik, jemi universitet me përgatitjen e profesionistëve numër një në Kosovë", deklaroi Bajraktari.

Ai shtoi se shumica e studentëve punësohen gjatë studimeve ose menjëherë pas diplomimit falë bashkëpunimit me industrinë dhe universitetet partnere.

"Të gjithë studentët tanë gjejnë punë edhe gjatë kohës që janë studentë ose menjëherë pas diplomimit, kjo fal të gjithë bashkëpunimit që kemi me sektorin e industrisë dhe me universitetet simotra në Evropë e në veçanti me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg", tha ai.

Sipas Bajraktarit, universiteti ka arritur të sigurojë akreditim institucional pesëvjeçar dhe të gjitha programet e studimit janë të akredituara për të njëjtën periudhë.

Reagojnë Ferizaj, Kaçaniku dhe Vitia

Komuna e Ferizajt e cilësoi situatën si "skandaloze", duke kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave që të rishqyrtojnë planifikimin buxhetor.

"Kërkojmë urgjentisht nga Ministritë përkatëse të rishqyrtojnë vendimmarrjen e tyre, ashtu që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj të ketë buxhetin e saj, të mund të funksionoj pa pengesa financiare apo administrative, në shërbim të dijes, në shërbim të mijëra studentëve", thuhet në reagimin e Komunës së Ferizajt.

Komuna ka theksuar gjithashtu se "Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit", duke e cilësuar institucionin si një nga shtyllat e zhvillimit të qytetit.

Në mbështetje të universitetit kanë dalë edhe Komuna e Kaçanikut e ajo e Vitisë.

"Ky universitet është një institucion i rëndësishëm për të rinjtë e rajonit, përfshirë edhe studentët nga Komuna e Kaçanikut, dhe ka rol të rëndësishëm në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe zhvillimin ekonomik të rajonit", thuhet në reagimin e tyre.

Komuna e Kaçanikut u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të sigurojnë financimin e nevojshëm për universitetin.

"Kërkojmë nga institucionet qendrore që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të sigurojnë financimin e nevojshëm për funksionimin e universitetit. Investimi në arsim është investim në të ardhmen, prandaj Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj duhet të mbështetet, jo të vihet në rrezik për shkak të mungesës së financimit", thuhet në reagim.

Ndërsa, Komuna e Vitisë ka vlerësuar se ky institucion i arsimit të lartë ka rëndësi të veçantë edhe për këtë komunë, pasi shumë të rinj nga Vitia ndjekin studimet në UShAF.

“Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka një rëndësi të veçantë edhe për Komunën e Vitisë, pasi një numër i konsiderueshëm i të rinjve nga komuna jonë ndjekin studimet në këtë institucion dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre profesionale”, thuhet në reagimin e Komunës.

Nga Komuna kanë theksuar se arsimi i lartë duhet të ketë mbështetje të vazhdueshme institucionale, duke kërkuar që çështja e financimit të universitetit të rishikohet.

“Besojmë se arsimi i lartë duhet të mbështetet dhe të zhvillohet vazhdimisht. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta rishqyrtojnë këtë çështje dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për funksionimin normal të Universitetit”, thuhet në reagim.

Komuna e Vitisë ka bërë të ditur se mbështet ruajtjen dhe fuqizimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, duke e konsideruar atë të rëndësishëm për studentët, rajonin dhe zhvillimin e vendit.

“Komuna e Vitisë mbështet ruajtjen dhe fuqizimin e këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit të lartë, në interes të studentëve, të rajonit dhe të zhvillimit të vendit”, thuhet në reagimin e publikuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Viti.

Nuk përgjigjet ministri Çeku

Telegrafi ka tentuar të kontaktojë edhe me ministrin në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar përgjigje. /Telegrafi/

true