Please enter at least 3 characters.

Komuna e Prizrenit publikon listën e përfituesve të druve të zjarrit dhe pakove ushqimore

Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim ka shpallur listat e përfituesve për dy kategori të mbështetjes sociale për vitin 2025: shpërndarjen e druve të zjarrit dhe ndarjen e pakove ushqimore e higjienike, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimit, përfituesit janë përzgjedhur në bazë të kritereve të përcaktuara nga Komuna, duke synuar mbështetjen e familjeve më të cenueshme sociale dhe ekonomike, si dhe komuniteteve me nevoja të veçanta.

Lista e përfituesve për të dy kategoritë është publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit dhe është e qasshme për qytetarët që dëshirojnë të informohen rreth procedurave dhe mënyrës së shpërndarjes.

Komuna ka bërë të ditur se shpërndarja e druve të zjarrit do të bëhet para fillimit të sezonit dimëror, ndërsa pakot ushqimore dhe higjienike do të shpërndahen sipas dinamikës së përcaktuar nga Zyra për Komunitete dhe Kthim.

Ky program mbështetës është pjesë e angazhimit të Komunës së Prizrenit për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për qytetarët në nevojë dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre sociale. /Telegrafi/