Komuna e Prizrenit aktivizon ekipet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e Lumbardhit
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka filluar aktivitetet për mirëmbajtjen e shtratit të Lumbardhit, një prej pikave më të rëndësishme mjedisore dhe turistike të qytetit.
Sipas komunës, ky proces konsiderohet i domosdoshëm për ruajtjen e pastërtisë, sigurisë dhe funksionalitetit të rrjedhës së lumit, i cili përbën një simbol të identitetit prizrenas, raporton Telegrafi.
Në njoftim theksohet se mirëmbajtja e rregullt e Lumbardhit është thelbësore jo vetëm për infrastrukturën e qytetit, por edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit lokal, duke pasur parasysh fluksin e madh të vizitorëve që frekuentojnë këtë zonë gjatë gjithë vitit.
Komuna ka paralajmëruar se punimet do të vazhdojnë sipas planit operativ, ndërsa ekipet përgjegjëse do të monitorojnë situatën për të siguruar një ambient të pastër, të sigurt dhe tërheqës për qytetarët dhe turistët. /Telegrafi/


