Please enter at least 3 characters.

Komuna e Prishtinës justifikon vonesën e punimeve në rrugën 'Eqrem Çabej' për shkak të motit

Ditë më parë, Telegrafi raportoi se rruga 'Eqrem Çabej' ka mbetur në gjendje të keqe, pasi në këtë pjesë ishin mbjellë fidanishte, duke shkaktuar dëme të shumta në trotuar.

Nga Komuna e Prishtinës thonë se nuk kanë ndërhyrë deri tani për shkak të kushteve atmosferike, që sipas tyre nuk kanë qenë të favorshme për realizimin e punimeve.

"Drejtoria e Investimeve Kapitale është duke analizuar mënyrën më të përshtatshme të trajtimit të trotuarit në rrugën "Eqrem Çabej", përfshirë përzgjedhjen e materialit adekuat për riparim. Arsyeja pse kjo ndërhyrje nuk është realizuar më herët lidhet me kushtet atmosferike gjatë sezonit dimëror, të cilat nuk kanë qenë të favorshme për punime të tilla", ka thënë për Telegrafin, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati.

Ajo gjithashtu tha se me përmirësimin e motit, presin që shumë shpejt të fillojmë me sanimin e trotuarit.

Ndryshe, problemi në trotuar ka krijuar vështirësi për ata që e kalojnë këtë rrugë, duke rrezikuar kështu edhe sigurinë e qytetarëve./Telegrafi/