Komuna e Lipjanit mbështet të rinjtë ndërmarrës përmes projektit të Islamic Relief Kosova
Komuna e Lipjanit është bërë pjesë e projektit për mbështetjen e të rinjve ndërmarrës, në bashkëpunim me organizatën Islamic Relief Kosova, e cila organizoi ceremoninë e ndarjes së granteve për biznese start-up, përcjell Telegrafi.
Ky projekt synon rritjen e mundësive për të rinjtë ndërmarrës të komunës, duke fuqizuar ekonominë lokale dhe promovuar vetëpunësimin.
Në ceremoni mori pjesë Drejtori për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Lipjanit, z. Valon Pacolli, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes për të rinjtë dhe zhvillimin ekonomik të komunës. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Komunës për bashkëpunime të ngjashme edhe në të ardhmen.
Nga gjithsej 71 të rinj që ndoqën trajnimin mbi Planin e Biznesit dhe Ndërmarrësinë, u përzgjodhën 12 ide biznesore më premtuese, të cilat do të mbështeten për nisjen e aktivitetit të tyre.
Drejtori i organizatës Islamic Relief Kosova, Dr. Mohamed Soliman, falënderoi Komunën e Lipjanit për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për krijimin e mundësive të reja ekonomike për të rinjtë. Projekti u mbështet nga Islamic Relief Deutschland dhe synon fuqizimin ekonomik të të rinjve në Kosovë. /Telegrafi/


