Please enter at least 3 characters.

Koha që Greqia ta njohë Kosovën

2016/01/f.0731180756679_m.jpg

Presidenti Sejdiu e çmoi pjesëmarrjen e trupave ushtarake greke në kuadër të KFOR-it në misionin e ruajtjes së paprekshmërisë së Kosovës dhe lirisë së saj, si dhe kontributin e të gjithë qytetarëve të tjerë të Greqisë në misionet civile në vendin tonë.

“Republika e Kosovë, përkundër vështirësive të natyrshme që ka në fillim çdo shtet i ri, është një storie e suksesshme. Në dy vjet e gjysmë të funksionimit të saj si shtet i pavarur e sovran, Kosova është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon, duke i bërë të dështojnë një nga një të gjitha parashikimet e këqija të kundërshtarëve të pavarësisë”, tha Sejdiu.

Presidenti tha se edhe pse Serbia nuk ka kërkuar asnjëherë falje për krimet e tmerrshme që ka bërë në Kosovë, vendi ynë i ka shtrirë dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit, “me qëllim që si dy vende fqinje të lëvizim më shpejt drejt integrimeve euroatlantike”, duke qenë se “vizioni ynë i vetëm është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, duke përfshirë vetë OKB-në”.

Ai tha se pas mendimit aq të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tanimë janë hequr të gjitha dilemat që ndonjë vend mund të ketë pasur sa i përket legjitimitetit të pavarësisë së vendit tonë, që është njohur deri më sot nga 69 vende demokratike anekënd botës dhe pret që shumë shpejt të njihet edhe nga shumë vende të tjera.

Edhe në këtë takim, Sejdiu ripërsëriti qëndrimin e Kosovës se nuk do të bisedojë kurrë me Serbinë, siç pretendon ajo, për çështjen e statusit, për integritetin e Kosovës, apo për çfarëdo forme të statusit special të ndonjë pjese të territorit të saj.

“Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë çështje të pakthyeshme dhe për tema të tilla ne nuk do të pranojmë të bisedojmë kurrë me askënd. Kosova është një rast sui generis, siç e ka cilësuar edhe Presidenti Ahtisari, s’është rast recesioni siç përpiqet ta paraqesë Serbia, por është një shtet i pavarur dhe sovran, që ka dalë nga një ish-federatë e shpërbërë pikërisht për shkak të liderëve të Serbisë, politika luftënxitëse e të cilëve ka sjellë tragjedi të mëdha në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë”, shtoi presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, Droutsas tha se Greqia dëshiron të promovojë frymën e bashkëpunimit në rajon, ndërsa sa i përket mendimit këshillëdhënës të GJND-së, ai pohoi se Greqia i jep rëndësi të madhe këtij mendimi dhe është duke e studiuar atë me kujdes. /Telegrafi/