Klimatizimi po shpëton mijëra jetë çdo vit në SHBA, zbulon studimi
Kondicionerët nuk janë më vetëm një çështje komoditeti gjatë ditëve të nxehta. Një studim i ri shkencor tregon se përdorimi i ajrit të kondicionuar në banesa po luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e vdekjeve nga temperaturat ekstreme në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një studimi të publikuar në revistën Nature Health, ajri i kondicionuar parandalon mesatarisht më shumë se 5,260 vdekje të lidhura me të nxehtin çdo vit në SHBA, duke ulur me më shumë se gjysmën numrin e vdekjeve që lidhen me temperaturat e larta.
Studimi u realizua nga studiues të Yale School of Public Health dhe Yale School of the Environment, të cilët analizuan afro 30 milionë të dhëna vdekjesh të regjistruara në SHBA gjatë periudhës 2010–2020, transmeton Telegrafi.
Studiuesit krahasuan të dhënat e vdekjeve me temperaturat ditore në qarqet ku ato ndodhën, si dhe me konsumin e energjisë elektrike të familjeve për ftohje.
Një nga përfundimet më interesante është se më shumë ftohje nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë mbrojtje. Përdorimi maksimal i kondicionerit nuk solli përfitime shtesë shëndetësore krahasuar me përdorimin mesatar.
Kjo tregon se ekziston një ekuilibër delikat mes mbrojtjes së shëndetit dhe kostove mjedisore të përdorimit të tepërt të energjisë, përfshirë konsumin më të lartë të elektricitetit dhe emetimet e gazeve serrë.
Studiuesit nuk u fokusuan thjesht te fakti nëse një familje kishte kondicioner, por te sa shpesh dhe sa shumë e përdorte atë. Arsyeja është se posedimi i një pajisjeje nuk tregon nëse një familje ka mundësi ekonomike ta përdorë rregullisht.
Ky aspekt është veçanërisht i rëndësishëm për familjet me të ardhura të ulëta. Disa prej tyre, sipas studiuesve, përballen me një zgjedhje të vështirë: të ndezin kondicionerin dhe të paguajnë një faturë më të lartë energjie, apo të durojnë temperaturat e larta për të kursyer para për ushqim dhe nevoja të tjera bazë.
Studimi ka ngritur gjithashtu një debat të ri mbi politikat e banimit në SHBA.
Robert Dubrow, një nga autorët e studimit, argumenton se nëse pronarët e banesave janë të detyruar të sigurojnë ngrohje gjatë dimrit, duhet të shqyrtohet edhe mundësia që ata të jenë të detyruar të ofrojnë ftohje gjatë muajve të verës, veçanërisht në zonat që përballen me temperatura ekstreme.
Ndërkohë, debati për kondicionerët po zhvillohet edhe në Evropë, ku përdorimi i tyre është bërë një çështje gjithnjë e më politike.
Në Francë, politikanët janë përplasur për përdorimin e ajrit të kondicionuar ndërsa kontinenti është përballur me valë të forta të të nxehtit dhe temperatura që kanë kaluar 40°C.
Komisioni Evropian, nga ana tjetër, favorizon një qasje më gjithëpërfshirëse. Brukseli kërkon që përparësi t'u jepet ndërtesave më të freskëta, izolimit më të mirë, dizajnit urban dhe metodave pasive të ftohjes, ndërsa kondicionerët me efikasitet të lartë të përdoren aty ku janë realisht të nevojshëm.
Studimi amerikan sjell kështu një mesazh të qartë: në një botë ku temperaturat po rriten, ajri i kondicionuar mund të jetë jo vetëm një luks, por në shumë raste edhe një mjet për mbijetesë.
Sfida tashmë është të gjendet mënyra për ta bërë këtë mbrojtje të përballueshme dhe njëkohësisht më pak të dëmshme për mjedisin. /Telegrafi/


