Please enter at least 3 characters.

KEDS dhe KESCO: Njehsorët matin saktë, devijimet janë teknike dhe konsumatorët do të kompensohen

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompania për Furnizim me Energji (KESCO) kanë deklaruar se njehsorët elektrikë në Kosovë matin saktë konsumin e energjisë, ndërsa devijimet e raportuara së fundmi lidhen me karakteristika teknike dhe jo me manipulim.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e dy kompanive thanë se shqetësimet e konsumatorëve janë trajtuar me seriozitet dhe se çdo rast i konstatuar si anomali është korrigjuar në përputhje me rregullat në fuqi.

Sipas tyre, të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet evropiane dhe kalojnë nëpër procese të rrepta certifikimi para se të vendosen te konsumatorët. Devijimet në kohë, që janë përmendur në raportimet e fundit, cilësohen si toleranca teknike të njohura, të përcaktuara edhe nga standardi ndërkombëtar IEC 62054-21.

“Kohëzgjatja e tarifave mbetet gjithmonë e njëjtë. Nëse fillon më vonë, përfundon më vonë, dhe nëse nis më herët, përfundon më herët,” u tha në konferencë, duke theksuar se periudha totale e tarifimit nuk ndryshon.

KEDS dhe KESCO kanë mohuar se përfitojnë financiarisht nga këto devijime, duke theksuar se kjo nuk lejohet nga korniza rregullative që bazohet në të hyrat e lejuara maksimale. Ata kanë siguruar se çdo konsumator që preket nga devijime jashtë normës teknike do të kompensohet plotësisht, “qoftë edhe për një cent të vetëm”.

Po ashtu, u bë e ditur se njehsorët inteligjentë të vendosur në shtylla nuk kanë devijime kohore, pasi sinkronizohen automatikisht nga sistemi qendror. Kompania ka paralajmëruar se do të vazhdojë zëvendësimin e njehsorëve të vjetër me modele inteligjente për të eliminuar mospërputhjet.

KEDS dhe KESCO u kanë bërë thirrje konsumatorëve që të paraqesin ankesat për verifikim në zyrat përkatëse, ndërsa kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe institucionet e tjera relevante.