Kartoni i kuq kontrovers për Vedat Muriqin: Mallorca mbetet me 9 lojtarë kundër Barcelonës
Sezoni i ri i La Ligës ka startuar me polemika të mëdha. Në ndeshjen hapëse, e zhvilluar në “Estadi Mallorca Son Moix”, skuadra vendase Mallorca mbeti me vetëm nëntë lojtarë në fushë pas dy përjashtimeve në pjesën e parë, duke e bërë edhe më të vështirë përballjen me kampionin në fuqi, Barcelonën.
Kartoni i parë i kuq erdhi në minutën e 24-të, kur mesfushori Manu Morlanes u ndëshkua për një faull të ashpër. Vetëm pak minuta më vonë, në të 38-ën, ishte radha e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, i cili u përjashtua pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj portierit të Barcelonës.
Pamjet treguan Muriqin duke ngritur këmbën lart në tentativë për topin, duke goditur drejt fytyrës së portierit – një episod që ndezi menjëherë debat të madh në rrjetet sociale.
Ndërkohë, në fushë Barcelona po dominon me posedim dhe intensitet sulmues. Raphinha shënoi golin e parë, ndërsa i dyti erdhi pas një goditjeje të Ferran Torres, e cila u devijua nga një mbrojtës i Mallorcës, duke e çuar rezultatin në 0-2.
Përjashtimi i Muriqit, i cili gëzon një mbështetje të madhe nga tifozët shqiptarë dhe kosovarë, ka ndarë opinionin: një pjesë e shohin vendimin si të drejtë për shkak të rrezikshmërisë së aksionit, ndërsa të tjerë argumentojnë se kontakti nuk ishte i mjaftueshëm për një karton të kuq direkt.
Skuadra e trajnerit Jagoba Arrasate tani synon të shmangë një humbje të thellë, ndërsa ekipi i Hansi Flick kërkon një debutim bindës në mbrojtje të titullit. /Telegrafi/


