Please enter at least 3 characters.

Kamenica kujdeset për më të vegjlit – pako ndihmëse për çdo foshnjë të porsalindur

Komuna e Kamenicës ka shpallur Thirrjen Publike për subvencionimin e prindërve me “Baby Box” – pako ndihmëse që përmban rroba dhe produkte të rëndësishme për foshnje dhe nënat e reja.

Kjo nismë është pjesë e politikave komunale për përmirësimin e mirëqenies familjare, me qëllim mbështetjen e nënave, foshnjave dhe familjeve të reja në ditët dhe javët e para pas lindjes.

Sipas njoftimit zyrtar, programi “Baby Box” synon të ofrojë ndihmë materiale për gratë shtatzëna dhe lehonat, duke kontribuar në krijimin e kushteve më të mira për jetën e foshnjës dhe përmirësimin e kujdesit prindëror.

Qëllimi i subvencionit

Pakoja “Baby Box” përmban artikuj bazë për kujdesin ndaj foshnjës dhe nënës, të cilat ndihmojnë prindërit në ditët e para të jetës së fëmijës. Në përbërjen e saj përfshihen: Rroba për foshnjën e porsalindur; produkte për kujdesin dhe higjienën e foshnjës; produkte për kujdesin e nënës pas lindjes.

Kriteret e aplikimit

Për të përfituar nga ky subvencion, prindërit duhet të jenë: Qytetarë të Republikës së Kosovës; banorë të Komunës së Kamenicës; në rastin e grave shtatzëna, shtatzënia duhet të jetë nga java e 27-të e tutje; në rastin e lehonave, periudha duhet të jetë deri në 40 ditë pas lindjes së foshnjës.

Dokumentacioni i nevojshëm

Aplikuesit duhet të dorëzojnë këto dokumente:Kopje të letërnjoftimit për të dy prindërit; certifikatën e vendbanimit për të dy prindërit; deklaratën e bashkësisë familjare; raportin mjekësor nga mjeku specialist/ gjinekolog (për gratë shtatzëna); ekstraktin e lindjes për foshnjën (për lehonat).

Afati dhe mënyra e aplikimit

Thirrja është e hapur pa afat të caktuar kohor, deri në përfundimin e buxhetit të parashikuar për këtë program.

Aplikimet pranohen në Qendrën për Shërbime me Qytetarët, në objektin e Komunës së Kamenicës, gjatë orarit zyrtar të punës.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga Komisioni Vlerësues, përfituesit do të njoftohen zyrtarisht për mënyrën e marrjes së pakos “Baby Box”.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nënshkruar njoftimin, duke theksuar përkushtimin e komunës për mbështetje të vazhdueshme ndaj familjeve të reja dhe përmirësimin e mirëqenies së nënave dhe foshnjave. /Telegrafi/