Juventusi tentoi ta fus Zhegrovën në bisedime me Evertonin për sulmuesin Beton - ky doli të jetë epilogu
Everton ka refuzuar një qasje të Juventusit për sulmuesin Beto gjatë javës së kaluar, ndërsa bisedimet mes dy klubeve që përfshinin Edon Zhegrovën nuk kanë shënuar asnjë përparim, shkruan The Athletic.
Gjiganti italian po kërkon të përforcojë repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar të janarit.
Beto, ish-sulmuesi i Udineses dhe aktualisht pjesë e Evertonit, ishte vetëm emri i fundit në listën e lojtarëve të shqyrtuar nga “Zonja e Vjetër”, pas Jean-Philippe Mateta dhe Youssef En-Nesyri.
Megjithatë, sipas raportimit, Everton refuzoi edhe të hapte diskutime për një huazim të mundshëm të sulmuesit portugez drejt Torinos.
Sipas The Athletic, arsyeja kryesore e refuzimit lidhet me shqetësimin e Evertonit për të gjetur një zëvendësues të përshtatshëm për Beton në këtë fazë të sezonit.
Klubi anglez nuk dëshiron të dobësojë repartin ofensiv pa pasur një alternativë të sigurt.
Zhegrova pjesë e bisedimeve, por pa epilog
Në raport shtohet se gjatë kontakteve mes dy klubeve është diskutuar edhe mundësia e një transferimi të Edon Zhegrovës drejt Evertonit.
Megjithatë, negociatat nuk kanë avancuar dhe palët nuk kanë arritur në fazë konkrete.
Ndërkohë, Juventusi ka arritur marrëveshje për transferimin e anësorit Jérémie Boga nga OGC Nice dhe mbrojtësit të djathtë Emil Holm nga Bologna.
Sipas gazetarit italian Alfredo Pedullà, objektivi më i ri për repartin ofensiv është ish-kapiteni i Interit, Mauro Icardi. /Telegrafi/


