Please enter at least 3 characters.

Java e fundit e tetorit nis me vranësira e reshje, në fundjavë mot më i ngrohtë

Java pritet të nisë me mot kryesisht të vranët, ndërsa në disa zona të vendit veçanërisht ditën e hënë, do të ketë riga lokale shiu.

Megjithatë, duke filluar nga e marta parashikohet një stabilizim gradual i kushteve atmosferike, shoqëruar me rritje të ndjeshme të temperaturave ditore, sidomos në orët e mesditës.

Sipas të dhënave meteorologjike, temperaturat minimale në mëngjeset e para të javës do të jenë disi të ulëta, por drejt fundjavës pritet një rritje termike e temperaturave maksimale të cilat do të afrohen me vlerat mesatare të muajit tetor.

Këto ndryshime do të kenë efekt pozitiv në sektorin bujqësor.

Reshjet e fundit, të cilat kanë ndihmuar në ngopjen e tokës me lagështi, do të kontribuojnë në rimbushjen e rezervave ujore në shtresat e sipërme të tokës - një faktor kyç për zhvillimin e fidanëve të mbjelljeve të vjeshtës dhe përgatitjet e tokës për mbjelljet e pranverës së hershme.

Pas reshjeve, rritja e temperaturave dhe rrezatimi diellor do të krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e proceseve fiziologjike të bimëve, përfshirë forcimin e sistemit rrënjor dhe akumulimin e lëndëve ushqyese.

Në përgjithësi, kushtet agrometeorologjike do të jenë të përshtatshme për aktivitetet bujqësore, si punimet e tokës, krasitjet, plehërimet bazë dhe kontrollet fitosanitare.

Kombinimi i lagështisë së tokës me temperaturat e buta do të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e gjendjes së mirë të kulturave dhe rigjenerimin e kullotave natyrore.

Ndërkaq sot moti do të jetë kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale: 5–8°C kurse maksimalja do të shkoj 10–13°C.

Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi, me intensitet të lehtë deri mesatar, duke sjellë ndjesinë e freskët në zonat veriore dhe kodrinore. /Telegrafi/