Please enter at least 3 characters.

Istogu udhëton në Portugali për dy sfidat vendimtare të Kupës Evropiane

Kampioni i Kosovës në hendboll (femra), Istogu, këtë fundjavë zhvillon dy ndeshjet e raundit të tretë në EHF European Cup, teksa përballë do ta ketë skuadrën e fortë portugeze Madeira Andebol SAD.

Të dyja përballjet do të luhen në Funchal të Portugalisë. Dueli i parë shkëlqen të shtunën nga ora 17:00, ndërsa i dyti të dielën në të njëjtin orar – një format që klubet kanë arritur ta dakordësojnë për shkak të rrethanave të veçanta.

Istogu është ekipi i vetëm kosovar që ka arritur deri në këtë fazë të garës, por udhëtimin e ka të vështirësuar. Për shkak të problemeve të vazhdueshme me palestrën e qytetit, e cila prej vitesh ndodhet në proces rinovimi, klubi ka pranuar që të dy ndeshjet të zhvillohen në Portugali.

Situata nuk është ideale as në aspektin sportiv. Istogu nuk do të jetë i kompletuar në duelet ndaj Madeirës, pasi disa prej lojtareve të huaja nuk kanë arritur të pajisen me vizat e nevojshme për të hyrë në Portugali.

Në raundin e dytë, Istogu e kaloi me sukses skuadrën greke AEP Panorama, duke siguruar kështu një tjetër aventurë të rëndësishme në Evropë dhe synon të bëjë surprizën edhe këtë fundjavë./Telegrafi