Interi kërkon ta heq qafe Kristjan Asllanin - ia ofron në marrëveshje shkëmbimi klubit të madh saudit
Interi ka bërë një lëvizje për transferimin e sulmuesit francez Moussa Diaby nga Al-Ittihad, duke përfshirë në ofertën e tij edhe mesfushorin shqiptar Kristjan Asllani.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, klubi zikaltër i ka propozuar skuadrës saudite një ofertë prej 18 milionë eurosh, ku pjesë e marrëveshjes do të ishte edhe kartoni i Asllanit.
Diaby, i cili ka shprehur gatishmërinë për t’u transferuar te Interi, shihet si një objektiv i rëndësishëm për repartin ofensiv të skuadrës italiane.
Asllani, 24-vjeçar, është pjesë e Interit deri në vitin 2028 dhe ka zhvilluar 42 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, duke shënuar 5 gola. Vlera e tij në treg, sipas Transfermarkt, llogaritet rreth 12 milionë euro. Por ai nuk është ftuar në kampin veror të Interit, pasi me shumë gjasa do të largohet.
Mesfushori shqiptar sezonin e fundit ishte i huazuar te Besiktasi në Turqi, por klubi turk vendosi të mos e aktivizojë opsionin e blerjes së kartonit të tij, duke bërë që Asllani të rikthehej te Interi.
Përveç Al-Ittihadit, interesim për Asllanin kanë shfaqur edhe disa klube të Serie A, përfshirë Atalantën, Sassuolon dhe Cagliarin.
Nëse marrëveshja me Al-Ittihadin realizohet, kjo do të mund të shënonte një kapitull të ri në karrierën e mesfushorit shqiptar, i cili kërkon më shumë hapësirë dhe vazhdimësi në një ekip ku mund të ketë rol më të rëndësishëm. /Telegrafi/


