Please enter at least 3 characters.

IKSHPK paralajmëron: Uji i pijshëm nuk rekomandohet në disa zona të Kosovës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit për pije dhe ka bërë të ditur se në disa zona të vendit uji nuk rekomandohet për konsum.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, nga rajoni i Prishtinës uji nuk rekomandohet për pije nga fabrika për trajtimin e ujit në Badoc, si dhe në zonën e Vragolit.

Në rajonin e Ferizajt, uji nuk rekomandohet për pije në Han të Elezit nga burimi i Dimcës, ndërsa furnizimi me ujë në këtë zonë është ndërprerë.

Probleme me furnizimin dhe cilësinë e ujit janë raportuar edhe në rajonin e Gjilanit. Në komunën e Vitisë furnizimi me ujë është ndërprerë, ndërsa në Kamenicë uji nuk rekomandohet nga stacioni i pompimit numër 2, në zonën Bahqja dhe në fshatin Berivojcë.

Nga rajoni i Pejës, IKSHPK ka njoftuar se uji nuk rekomandohet për pije në komunën e Klinës, përkatësisht në rrjetin e furnizimit nga puset dhe nga burimi Jarinë.

Në rajonin e Gjakovës, uji nuk rekomandohet për pije nga burimet e Opterushës dhe Zaqishtës.

Ndërkohë, në rajonin e Prizrenit, uji nuk rekomandohet për pije në komunën e Malishevës.

IKSHPK ka bërë të ditur se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore, duke shmangur përdorimin e ujit për pije në zonat e përmendura deri në njoftimin e radhës.