IKSHPK: Gjatë këtij viti dy të vdekur e 21 raste të reja me HIV/AIDS
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se 21 raste të reja me HIV/AIDS janë regjistruar në Republikën e Kosovës nga 1 janari deri më 17 korrik 2026.
Sipas të dhënave të këtij institucioni, gjatë së njëjtës periudhë kanë humbur jetën dy persona të prekur me HIV/AIDS.
IKSHPK ka bërë thirrje për qytetarët që të kryejnë testime të hershme, duke theksuar se diagnostikimi në kohë mund të jetë vendimtar për trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjes.
“Testimi është i thjeshtë dhe konfidencial. Testimi i hershëm shpëton jetë”, ka theksuar IKSHPK.
Instituti ka rikujtuar se personat e diagnostikuar me HIV mund të mbajnë nën kontroll virusin përmes terapisë antiretrovirale, e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar të organizmit, ndërsa AIDS paraqet fazën e avancuar të infeksionit HIV, kur sistemi imunitar është dobësuar ndjeshëm.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, HIV transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, kontaktit me gjak të infektuar, si dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji.
IKSHPK ka sqaruar se HIV/AIDS nuk transmetohet përmes kontakteve të zakonshme sociale, si shtrëngimi i duarve, përqafimet, përdorimi i përbashkët i enëve ushqimore apo pickimi i mushkonjave.


