Please enter at least 3 characters.

Hyundai ka zgjidhjen - si mund të rritet numri i vendeve të parkimit për 50 për qind?

Vendet e parkimit janë veçanërisht të kërkuara në qytetet e mëdha, ndërsa Hyundai njofton se mund të ketë një zgjidhje për këtë problem, duke rritur numrin e hapësirave të parkimit.

Kompania koreano-jugore po zhvillon robotë për parkim, të cilët, përveç reduktimit të aksidenteve të vogla, pritet të rrisin kapacitetin e parkingjeve me 20 deri në 50 për qind.

Këta robotë janë të përmasave të vogla dhe kanë një lartësi prej vetëm 11 centimetrash. Ata futen poshtë veturës, e ngrenë atë nga rrotat dhe e zhvendosin. Robotët janë të pajisur me sensorë LiDAR dhe mund të parkojnë automatikisht vetura me peshë deri në 3.4 tonë, ndërsa shpejtësia maksimale që mund të arrijnë është 4.3 km/h.

Sistemi funksionon në këtë mënyrë: drejtuesi e çon veturën në një pikë të përshtatshme, del prej saj dhe më pas robotët marrin kontrollin, duke e zhvendosur automjetin deri te vendi i parkimit. Kur vjen koha për ta marrë veturën, drejtuesi shkon te një terminal i posaçëm dhe u jep komandë robotëve që t’ia sjellin automjetin.

Meqë nuk ka nevojë të hapen dyert e veturave, automjetet mund të vendosen shumë më pranë njëra-tjetrës, duke rritur kështu numrin e hapësirave të disponueshme të parkimit.

Përveç kursimit të kohës dhe reduktimit të stresit për drejtuesit, përdorimi i robotëve pritet të ketë ndikim pozitiv edhe te pronarët e parkingjeve, të cilët do të mund të rrisin kapacitetin e tyre. Sistemi mund të ndikojë gjithashtu në mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e këmbësorëve.

Për të demonstruar efikasitetin dhe mundësitë e sistemit, Hyundai do të zhvillojë një program pilot në një kompleks banimi në qytetin Siheung, në jugperëndim të Seulit. Kompleksi do të pajiset me dy grupe robotësh për parkim, të cilët do të menaxhojnë 53 vende parkimi në parkingun nëntokësor.

Të dhënat që Hyundai synon të mbledhë gjatë këtij programi lidhen me kohën mesatare të pritjes, shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve dhe shpejtësinë e funksionimit të robotëve. Në të njëjtën kohë, kompania dëshiron të përcaktojë mënyrën më të mirë për të llogaritur numrin optimal të vendeve të parkimit për çdo ndërtesë dhe numrin e robotëve që do të nevojiten për t'i menaxhuar ato. /Telegrafi/