“Here we go!”: Vjen reagimi i Trump, pasi dronët rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë
Donald Trump ka bërë reagimin e tij të parë ndaj ndërhyrjes së dronëve rusë gjatë natës në Poloni.
Në një postim “të koduar” në llogarinë e tij Truth Social, ai tha: "Çfarë po ndodh me Rusinë që shkel hapësirën ajrore të Polonisë me dronë? Here we go".
Siç theksojnë mediat e huaja, kuptimi mbetet i paqartë, por ka të ngjarë që të dëgjojmë më shumë prej tij në ditët në vijim.
Kujtojmë se forcat polake dhe të NATO-s u ngritën në ajër për të kapur dronët rusë që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë herët natën e së martës dhe herët të mërkurën, duke shënuar angazhimin e tyre të parë ushtarak të drejtpërdrejtë me Moskën që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini në vitin 2022.
Aeroplanët luftarakë polakë dhe të NATO-s iu përgjigjën shkeljes së hapësirës ajrore polake, e cila ndodhi gjatë një sulmi ajror rus ndaj Ukrainës.
"Pati një shkelje të paprecedentë të hapësirës ajrore polake nga objekte të tipit dron", tha komanda operacionale ushtarake polake në një deklaratë. "Ky është një akt agresioni që përbënte një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë".
Pas kësaj, Polonia bëri thirrje për “vënien në përdorim” të Nenit 4 të NATO-s - i cili parashikon mundësinë e konsultimeve të përbashkëta midis aleatëve.
Kryeministri Donald Tusk paralajmëroi se vendi i tij është aq afër një konflikti sa ka qenë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi ushtria e vendit regjistroi të paktën 19 dronë që shkelën hapësirën e saj ajrore.
"Nuk kam arsye të pretendoj se jemi në prag të luftës, por është kaluar një vijë dhe është pakrahasueshëm më e rrezikshme se më parë", ka thënë ai.
Në anën tjetër, Rusia ka akuzuar Poloninë për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë duke përhapur "mite" rreth ndërhyrjes së dronëve gjatë natës. /Telegrafi/


