Haziri: As me ndërmjetësues nuk do të ulemi në tavolinë me mosmirënjohësit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bashkëpunim me ata që u treguan mosmirënjohës.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se të zhgënjyerit e koalicionit të PDK-së ndihmuan në rritjen e Vetëvendosjes në Gjilan.
“Faleminderit votuesve për konfirmimin e votave për LDK-në në Gjilan. Punuam për rritje, por arritëm në shifrën e afro 14 mijë votave.Por, të zhgënjyerit e koalicionit të PDK-së ndihmuan në ‘rritjen’ e VV-së edhe në Gjilan. Ne e respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe vazhdojmë ta ruajmë dhe rrisim besimin tonë me ju.LDK konfirmon se nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bashkëpunim me ata që u treguan mosmirënjohës. Madje, as me ndërmjetësues nuk do të ulemi në tavolinë me ta.Nesër duhet të themi se si LDK e kemi ruajtur votën tonë, se do të mbajmë unitetin e koalicionit dhe se vendimet do t'i marrim pasi të certifikohen rezultatet.Sovrani nuk i dha askujt legjitimitetin ta formojë qeverinë, përkundër festave partiake. Ne vazhdojmë punën tonë në çdo sfidë.Uroj që Gjilani të ketë më shumë deputetë në Kuvend dhe të punojnë për Republikën e Gjilanin.Dhe, Gjilani nga nesër i kthehet punës, pastrimit nga posterët e sloganet zgjedhore, për ta normalizuar punën e qeverisjes lokale, duke e ruajtur besimin e mbi 60 për qind tuajin për punët komunale”, ka shkruar ai. /Telegrafi/


