Please enter at least 3 characters.

Hamza: PDK-ja nuk e voton Sejdiun për president, fillimet nuk janë të mira



Nëse Bekim Sejdiu zgjidhet president, duhet të jetë unifikues, por fillimet nuk i ka të mira, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Ai për KosovaPress theksoi se PDK-ja nuk ka votë për kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nuk ka ndryshim të qëndrimit. Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, tha ai.

Sipas tij, Sejdiu deri tani nuk ka realizuar asnjë komunikim apo diskutim me PDK-në për të kërkuar votë për president.

“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, theksoi Hamza.

I pyetur se a pranon të takohet me kandidatin për president nga LVV-LDK për të marrë garanci se do të jetë unifikues, Hamza tha se tani është vonë për një gjë të tillë.

“Vonë është tashmë”, përfundoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar më 31 gusht për emrin e Bekim Sejdiut për president konsensual.

Sot LDK-ja pritet të diskutojë emrin e tij në strukturat e brendshme partiake, ndërkaq dje disa figura, përfshirë Avdullah Hotin, kanë dalë kundër emrit të Bekim Sejdiut për president. Sipas LVV-së, për shkak të mosdakordimit për president, deri tani nuk është konstituar Kuvendi i Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. /Telegrafi/