Hamza dhe Abdixhiku kërkojnë që Prishtina të përfshihet në buxhetin e Kosovës
Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet rreth miratimit të buxhetit të vendit, derisa nga opozita ka vërejtje rreth tij.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ndal edhe tek pjesa e buxhetit të Prishtinës, ku kërkoi nga Hekuran Murati, si ministër i Financave që ta bëjë pjesë të buxhetit.
“Buxheti i Komunës së Prishtinës nuk është pjesë e këtij buxheti, andaj po i drejtohem ministrit të Financave që të bëhet pjesë e këtij buxheti”, tha Hamza.
“Për disa çështjeve teknike, nuk duhet që Prishtina të mbetet jashtë këtij buxheti, andaj hapeni sistemin dhe të bëhet pjesë e tij”, shtoi ai.
Edhe Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjës Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që Prishtina të përfshihet në buxhetin e vendit.
“Fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht ky buxhet i Kosovës nuk e merr parqasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jashtëzakonisht shqetësuese që Kuvendit i sillet një dokument që se respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet, dhe së këndejmi bëhet menjëherë jokushtetues”, potencoi ai.
“Prishtina e ka miratuar buxhetin me 6 shkurt 2026, buxheti është sjellë në kuvend për herë të parë më 13 shkurt. Nuk ka asnjë arsye as ligjore as logjike e as kushtetuese që një buxhet nacional të mos e merr parasysh vendimin e kuvendit komunal të Prishtinës”, shtoi më tej Abdixhiku.
Opozita ka kërkuar më shumë kohë që ta trajtojë buxhetin, që sipas tyre një dokument prej 700 faqesh, do të duhej të analizohej më gjatë nga ta dhe jo të kërkohej miratimi me urgjencë.
Nga Qeveria u bë e ditur se për shkak të bllokadës njëvjeçare, kjo urgjencë ka bërë që të kërkohet votimi sa më i shpejtë. /Telegrafi/


