Gyula Andrassy, më 1913: Jam kundër ndarjes së Shqipërisë mes Austro-Hungarisë dhe Italisë
“Le Temps” ka botuar të enjten e 8 majit 1913, në faqen e dytë, intervistën e ish-ministrit dhe kontit austro-hungarez, Gyula Andrassy, dhënë asokohe gazetës hungareze “Pesti Hirlap”, në lidhje me çështjen shqiptare. Shkrimi i transmetuar në gazetën franceze është si më poshtë: “Korrespondenti ynë nga Budapesti na telegrafon:Në një intervistë për Pesti Hirlap për çështjen shqiptare, ish-ministri kont, Gyula Andrássy, djali i kancelarit të famshëm austro-hungarez, bëri këto deklarata:‘Një veprim ushtarak i Austro-Hungarisë dhe i Italisë nuk do t’i përputhej politikës së babait tim, veçanërisht nëse do të kishte për qëllim ndarjen e Shqipërisë ose një condominium austro-italian në atë vend.Babai im kurrë nuk mendoi të pushtonte Shqipërinë, sepse ai e dinte se shqiptarët do të jenë miqtë tanë për sa kohë që ne do të favorizonim pavarësinë e tyre, por nëse do t’i pushtonim, ata do të bëheshin armiqtë tanë.Përveç kësaj, ai refuzoi çdo ndarje me Italinë dhe madje edhe çdo fiksim të sferave të ndikimit, sepse ai ishte i sigurt se do të kishim dalë të humbur.Në të vërtetë, Italia do të fitonte një pozitë të fortë strategjike nëse do të instalohej në Shqipërinë jugore, ndërkohë që posedimi i Shqipërisë së Veriut nuk do të përmirësonte situatën tonë.Austro-Hungaria dhe Italia ishin në favor të emancipimit të popujve të Ballkanit, veçanërisht për pavarësinë e Shqipërisë.Le të mos e braktisim këtë program, në bazë të të cilit Italia mund të ruajë interesat e saj reale dhe Austro-Hungaria po ashtu, pa rrezikuar një përplasje.Le të mos shkojmë më tej, të mos e ekspozojmë veten në një konflikt me Italinë; Le të mos vëmë në provë aleancën tonë me Italinë duke ndarë Shqipërinë’”.
Konti Andrassy shtoi se nuk e shihte të nevojshme ndërhyrjen ushtarake në Shqipëri dhe nëse kjo do të ishte e nevojshme gjithsesi, ai do të preferonte ndërhyrjen e ndërkombëtarëve ndaj asaj paralele austro-italiane. /Darsiani/


