Gramos Emini i bashkohet Alban Dragushës te Ferizaj
Ferizaj vazhdon organizimin për sezonin e ri në Ligën e Parë, duke kompletuar edhe stafin teknik. Trajneri i ri Alban Dragusha do të ketë pranë vetes si ndihmës një nga trajnerët e rinj më premtues në futbollin kosovar, Gramos Emini.
Emini i bashkohet Ferizajt pas një eksperience të krijuar në disa klube të futbollit kosovar, ku ka punuar me Flamurtarin, Vllazninë e Pozharanit dhe Vjosën, duke lënë përshtypje të mira me punën e tij dhe rezultatet e arritura.
Ai njihet si një trajner që aplikon metoda moderne të stërvitjes dhe i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit individual të futbollistëve, veçanërisht të lojtarëve të rinj.
Karriera e tij si futbollist u ndërpre herët për shkak të një dëmtimi serioz, por kjo nuk e largoi nga futbolli. Përkundrazi, Emini iu përkushtua profesionit të trajnerit, duke ndjekur edukimin profesional dhe duke siguruar licencat e nevojshme për të ushtruar këtë profesion.
Me emërimin e Alban Dragushës si trajner dhe afrimin e Gramos Eminit në rolin e ndihmësit, Ferizaj po ndërton një staf teknik me synimin për të rikthyer stabilitetin dhe identitetin e klubit. /Telegrafi/


