Goditet kontrabanda në Viti, sekuestrohen 300 kg duhan
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në komunën e Vitisë, ku është zbuluar dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme e duhanit të përpunuar.
Sipas njoftimit, njësia Task Forca – DRK Jug ka vepruar pas pranimit të informatave operative se në një shtëpi të pabanuar dyshohej se ishin fshehur mallra të kontrabanduara të futura në Kosovë nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Pas ndërhyrjes dhe kontrollit të objektit me autorizim të prokurorit kompetent, policia ka gjetur dhe sekuestruar rreth 300 kilogramë duhan të përpunuar, i gatshëm për treg.
Autoritetet vlerësojnë se vlera e mallrave të sekuestruara është rreth 6,000 euro, ndërsa shmangiet nga obligimet doganore dhe akciza arrijnë rreth 12,000 euro.
Mallrat e sekuestruara janë dorëzuar në Doganat e Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore, ndërsa rasti po hetohet nga institucionet kompetente. /Telegrafi/


