Please enter at least 3 characters.

Gattuso jep mendimin e tij për përjashtimin e Izraelit nga kualifikimet e Kupës së Botës 2026

Përzgjedhësi italian Gennaro Gattuso ka reaguar ndërsa po rritet presioni për përjashtimin e Izraelit nga kualifikimet për Kupën e Botës 2026. 

Gattuso deklaroi se mendon se ndeshja duhet të zhvillohet, pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm në Gaza.

 Italia dhe Izraeli janë shortuar në të njëjtin grup kualifikues për turneun që do të mbahet verën e ardhshme në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktualisht, Norvegjia kryeson grupin, me Izraelin në vendin e dytë dhe Italinë në të tretin. Megjithatë, norvegjezët kanë zhvilluar katër ndeshje, Izraeli tri dhe Italia vetëm dy.

Estonia dhe Moldavia përbëjnë pjesën tjetër të grupit. Për të siguruar një vend të drejtpërdrejtë në Kupën e Botës, duhet të përfundosh në vendin e parë në grup, ndërsa vendi i dytë siguron pjesëmarrjen në fazën play-off.

Italia dhe Izraeli nuk janë përballur ende me njëri-tjetrin në këtë fushatë kualifikuese. Për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, ndeshja e planifikuar si pritëse nga Izraeli do të luhet në Debrecen të Hungarisë më 8 shtator.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 14 tetor në Udine, në një përballje që mund të jetë vendimtare për përcaktimin e ekipit që do të kualifikohet në Kupën e Botës.

"Jam një njeri i paqes, shpresoj të ketë paqe në mbarë botën”.

"Më thyhet zemra kur shoh civilë dhe fëmijë duke humbur jetën, por ne kemi Izraelin në grupin tonë, duhet të luajmë”, ka thënë Gattuso.

Dy vendet u përballën për herë të fundit në tetor 2024, kur ishin pjesë e të njëjtit grup në Ligën e Kombeve.

Italia i fitoi të dyja ndeshjet, fillimisht 2-1 në një fushë neutrale në Hungari, dhe më pas 4-1 në shtëpi./Telegrafi/