Please enter at least 3 characters.

Frikë nga Kosova? Vincenzo krijon një plan të veçantë për Arda Gulerin, i jep rol të ri kundër “Dardanëve”

Përzgjedhësi i Turqisë Vincenzo Montella ka krijuar një plan të veçantë për yllin e Real Madridit, Arda Guler, i cili do t’i ketë “duart e lira” ndaj Kosovës.

Kosova do ta mirëpret Turqinë në “Fadil Vokrri” të martën nga ora 20:45, me synimin që ta sigurojë biletën për në Kampionatin Botëror 2026.

Sidoqoftë, mediumi turk “fanatik.tr” raporton se Montella ka pasur një takim “sy për sy” vetëm me talentin e Real Madridit, ku e ka njoftuar për rolin e ri që do ta ketë ndaj Kosovës.

“Trajneri Vincenzo Montella ka përgatitur një rol të veçantë për Arda Guler para finales ndaj Kosovës. Kuptohet se tekniku italian planifikon ta vendosë yllin e ri si një lojtar kyç si në ndërtimin e lojës, ashtu edhe në tranzicionet sulmuese”.

“Arda pritet të luajë me një rol të lirë, veçanërisht në krahun e djathtë, duke u futur drejt qendrës dhe duke qenë efektiv në pasimet vendimtare”.

“Montella ka zhvilluar takime kokë më kokë me lojtarin, duke e nxitur që të marrë përgjegjësi në këtë ndeshje shumë të rëndësishme”.

“Trajneri me përvojë po zbaton një program të veçantë përgatitor për t’u siguruar që Arda të jetë gati si në aspektin mendor, ashtu edhe në atë fizik”, raporton mediumi në fjalë.

Guler do të jetë ndër pikat kryesore të Turqisë në këtë përballje, pasi siç e dimë di të krijojë raste nga asgjë, siç ndodhi me Rumaninë ku dërgoi një pasim të gjatë për golin, i cili rezultoi të jetë i kualifikimit.

Përndryshe, rikujtojmë se përballja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet të martën nga ora 20:45./Telegrafi/