Flokë të freskët, pa djersë dhe pa mundim: Bobi i lagur, frizura më praktike e verës
Me pak xhel ose dyllë për flokë, ky stil i thjeshtë shndërrohet në një nga paraqitjet më elegante të verës
Bobi prej vitesh është një nga frizurat më të njohura për flokë të shkurtër dhe pothuajse nuk del kurrë nga moda. Çdo sezon shfaqet në një variant të ri, ndërsa këtë verë në qendër të vëmendjes është hydro bob – frizura që krijon përshtypjen sikur flokët sapo kanë dalë nga deti ose pishina.
Çfarë është hydro bob?
Hydro bob është një variant i bobit klasik, i cili mbahet me efektin karakteristik të flokëve të lagur. Baza është një prerje e drejtë, që përfundon pak poshtë mjekrës, por mënyra e stilimit është ajo që e dallon nga versionet e tjera.
Në vend që flokët pas larjes të thahen dhe të modelohen me tharëse, ato lihen të thahen natyrshëm. Ndërsa janë ende të lagura, aplikohet një sasi më e madhe xheli ose dylli për flokë, për të krijuar efektin e lagësht.
Më pas, flokët krihen pas veshëve, ndërsa sipas dëshirës mund të lihen disa fije të lira që kornizojnë fytyrën.
Për më shumë shkëlqim, në fund mjafton të aplikohen disa pika vaj për flokë ose sprej shkëlqyes. Rezultati është një frizurë moderne dhe elegante, e cila duket sikur është realizuar në sallon, ndonëse kërkon vetëm pak minuta, transmeton Telegrafi.
Pse hydro bob është bërë kaq popullor?
Një nga arsyet kryesore të popullaritetit të tij është mirëmbajtja e thjeshtë. Ndryshe nga versionet e tjera të bobit, të cilat kërkojnë tharëse, furçë të rrumbullakët dhe mjaft kohë për stilim, hydro bob pothuajse nuk kërkon fare mundim.
Duket bukur si në flokë të drejtë, ashtu edhe në flokë me onde ose kaçurrela, prandaj është bërë një nga zgjedhjet e preferuara të verës.
Përveç kësaj, kombinohet lehtësisht me aksesorë të ndryshëm, nga shiritat për flokë deri te vathët e mëdhenj. Nuk është befasi që kjo frizurë është shfaqur gjithnjë e më shpesh në rrjetet sociale dhe në paraqitjet e stilit urban.
Falë ndërthurjes së natyrshmërisë dhe elegancës, hydro bob pritet të jetë një nga frizurat më të spikatura të kësaj vere.
/Telegrafi/


