Firma e Bashkisë së Tiranës shkon në qeli, avokati: ‘Detyrimi me paraqitje’ do të ishte më i përshtatshëm për qytetarët
Pa kryetar në zyrë, por me kryetar në detyrë.
Kjo është situata në Bashkinë e Tiranës me Erion Veliajn, pasi ligji i njeh të drejtën të udhëheq pushtetin lokal nga qelia edhe pa deleguar kompetencat.
Largimi i Anuela Ristanit nga karrigia e kryetarit të komanduar sjell nevojën e përhershme për firmën e Erion Veliajt, por mungesa e lirisë së tij pritet të sjell vonesa në vendime, shkruan Top Channel.
“Një veprim I cili ishte i pritshëm dhe madje i vonuar në gjykimin tim, në momentin që Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë. Qoftë edhe në ambientet e paraburgimit mund ta ushtrojë detyrën, sigurisht që ka mungesa për shkak të pjesës së komunikimit, por ligjërisht kjo nuk e bën të pamundur. Erion Veliaj mund të nënshkruajë të gjitha aktet të cilat do të përcillen nga sekretari i përgjithshëm apo drejtori juridik në ambientet e paraburgimit”, tha avokati, Arbër Hoxha.
“Fakti që Erion Veliaj sot si kryetar bashkie nuk ka autorizuar asnjë nga nënkryetarët do të thotë nga ana administrative që çdo akt i nxjerr nga Bashkia e Tiranës duhet të shkojë patjetër në paraburgimin e Durrësit për tu firmosur dhe pastaj të protokollohet në bashki. Këta drejtorët mund të raportojnë te nënkryetarët sipas strukturës së bashkisë, por nënkryetarët nuk mund ta përfaqësojnë institucionin me palë të treta”, u shpreh avokati Indrit Sefa.
Ngërçi institucional është i dukshëm pa praninë e kryetarit të bashkisë për të ndjekur mbarëvajtjen e punëve të kryeqytetit. Por Kushtetuta dhe ligji i vetëqeverisjes vendore nuk bëhet penguese për mbajtjen e detyrës në këto kushte, me kryetarin e zgjedhur me votë në qeli dhe me shfuqizimin e kryetares së komanduar.
“Sot ne kemi një Bashki që nuk ushtron një aktivitet normal. Neni 64 I ligjit për vetëqeverisjen vendore është i qartë që të gjitha veprimtaritë administrative të Bashkisë së Tiranës i kryen kryetari i Bashkisë përveç atyre kompetencave të këshillit bashkiak. Deri dje ka qene zonja Ristani e cila ka përfaqësuar institucionin e kryetarit të bashkisë, sot me heqjen e delegimit i takon që Veliaj të jetë në mbledhjet e këshillit bashkiak”, tha Sefa.
“Qytetarët e Tiranës nuk kanë votuar Ristanin por Veliajn, si i tillë ai përgjigjet pozitivisht apo negativisht për veprimet apo mosveprimet. Sigurisht që një masë e ndryshme nga ajo e arrestit me burg në detyrim paraqitje do të ishte më e përshtatshme për sa kohë hetimet kanë përfunduar dhe nuk mund të dëmtohen edhe provat. Megjithatë ka vend për tu rikuperuar sepse duhet shprehur edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, u shpreh avokati Hoxha.
Kjo është zgjidhja që japin juristët me firmën nga paraburgimi, por qytetarët kërkojnë të mos përballen më me kaosin e krijuar në Bashkinë e Tiranës prej mungesës fizike të kryetarit.


