Fillon hartimi i projekteve për renovimin e reparteve kyçe në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë
Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë është mbajtur një takim pune ndërmjet menaxhmentit të institucionit dhe përfaqësuesve të kompanisë kontraktuese, përgjegjëse për hartimin e projekteve të renovimit të disa reparteve spitalore.
Gjatë takimit, inxhinierët prezantuan versionet fillestare të projekteve për renovimin e reparteve të Internos, Ambulancave Specialistike, Pulmologjisë dhe Ortopedisë. Diskutimet u fokusuan në aspektet teknike, fazat e implementimit dhe nevojat prioritare të secilit repart.
Ky proces paraqet një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës shëndetësore në Pejë, me qëllim të përmirësimit të kushteve për trajtimin e pacientëve dhe për krijimin e një ambienti më efikas për stafin mjekësor.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka ritheksuar përkushtimin për të avancuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e rajonit./Telegrafi/


