Please enter at least 3 characters.

FIFA reagon ashpër pas akuzave për kurdisje të ndeshjeve në Botëror, del me deklaratë zyrtare

FIFA ka reaguar me një deklaratë të fortë pas pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026.

Botërori i parë me 48 kombëtare përfshiu gjithsej 104 ndeshje, ndërsa Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në histori, pasi mposhti Argjentinën në finalen e zhvilluar në stadiumin ‘MetLife’.

Gjatë turneut nuk munguan polemikat për gjykimin. Federata Egjiptiane e Futbollit kërkoi nga FIFA përjashtimin e gjyqtarëve që drejtuan humbjen 3-2 të Egjiptit ndaj Argjentinës, duke pretenduar se ishin bërë gabime të rënda.

Federata egjiptiane kërkoi largimin e arbitrit dhe të gjithë ekipit të gjyqtarëve nga Botërori pas hetimit të gabimeve të tyre.

Edhe përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, shkaktoi debat me një gjest kontrovers në vijën anësore dhe akuzoi FIFA-n për favorizim të Lionel Messit.

"Ata duan që Messi të qëndrojë në turne", deklaroi ai pas ndeshjes.

Shefi i gjyqtarëve në FIFA, Pierluigi Collina, i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si "akuza të pabazuara" dhe duke mbrojtur integritetin e gjyqtarëve.

Ndërkohë, FIFA bëri të ditur se Grupi i Punës për Integritetin, ku morën pjesë ekspertë nga FIFA, FBI, INTERPOL, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Këshilli i Evropës, Shoqata Ndërkombëtare për Integritetin në Bastore dhe institucione të tjera, nuk gjeti asnjë provë për manipulim të ndeshjeve.

Sipas FIFA-s, gjatë gjithë turneut u monitoruan në kohë reale tregjet e basteve dhe ngjarjet në fushë, ndërsa analizat nuk zbuluan asnjë model të dyshimtë bastesh apo ndonjë shenjë të kurdisjes së ndeshjeve.

"Bazuar në informacionin e mbledhur dhe analizuar gjatë gjithë garës, Grupi i Punës nuk identifikoi asnjë aktivitet të dyshimtë në bastore dhe asnjë tregues për manipulim të ndonjë ndeshjeje”, thuhej në deklaratën zyrtare të FIFA-s.

FIFA shtoi se të gjitha raportet mbi bastet dhe informacionet e mbledhura gjatë turneut u analizuan dhe u shkëmbyen mes institucioneve pjesëmarrëse sipas procedurave operative.

Menaxheri i Lartë për Integritet në FIFA, Liam Rich, deklaroi se ky bashkëpunim krijoi një kornizë të fortë për shkëmbimin e informacionit dhe vlerësimin e çdo rreziku të mundshëm, duke shtuar se i njëjti model do të përdoret edhe në turnetë e ardhshëm, përfshirë Kupën e Botës për Femra vitin e ardhshëm./Telegrafi/