Festat zgjojnë gjithmonë imagjinatën e fëmijës
Fëmijët kanë nevojë për rregull në ritmin e tyre të jetës. Kjo u lejon atyre të organizohen më mirë, të përshtaten më mirë me të renë si dhe të ndërtojnë një identitet të tyrin familjar
Ritet dhe traditat si Viti i Ri apo festa të tjera tradicionale i ndihmojnë ata për të krijuar një personalitet sa më të qëndrueshëm, të gëzueshëm e miqësor.
Jepini vlerë kohës
Fëmijët i presin me gëzim festat, të cilat ritmojnë kohën, ndjenjat, gëzimet duke u dhënë atyre një vlerë më reale (për shembull, dimri është gjithmonë i lidhur edhe me festat e fundvitit). E kjo i ndihmon fëmijët të perceptojnë nga njëra anë nocionin kohë dhe nga ana tjetër i mëson ata me idenë e durimit.
Shoqëria e sotme mundëson plotësimin e shpejtë të çdo dëshire, por edhe pritja e një feste ka shumë vlerë në formimin e personalitetit të fëmijës, pasi i mëson ata të jenë më të duruar, duke stimuluar nga ana tjetër edhe të gjitha dëshirat që ai ka.
Një festë familjare, një festë me miqtë, një festë kombëtare apo një festë si ajo e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri forcon tek fëmijët ndjenjën, por edhe sigurinë që ata i përkasin një grupi. E që këto festa të marrin gjithë vlerën reale në sytë e fëmijëve, të rriturit duhet të jenë detyrimisht pjesë e këtij gëzimi.
Gjithashtu është e domosdoshme që prindërit t’u shpjegojnë fëmijëve arsyet se pse dikush feston Kërshëndellat dhe dikush respekton, për arsye të traditës dhe përkatësisë fetare, një tjetër festë e gëzim po aq të bukur sa kjo. Një fëmijë do të arrijë të kuptojë gjithçka dhe asgjë nuk do të lëkundet më pas në ëndrrat, dëshirat e gëzimet e tij.
Festat zgjojnë gjithmonë imagjinatën e fëmijës. Deri në moshën 7-8 vjeç, fëmija sajon gjithmonë histori, ndaj është e rëndësishme që të rriturit ta nxisin këtë imagjinatë, pasi kjo ndihmon shumë në zhvillimin e personalitetit të tij.
Plaku i Vitit të Ri, dhuratat nën pemë apo personazhe të tjerë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo me festa, ndihmojnë në krijimin e vlerave dhe imazheve pozitive, duke i bërë ato në çdo kohë të pranishme në jetën e një fëmije.


