Please enter at least 3 characters.

Ferizaj merr tri pikë të mëdha te Malisheva

Ferizaj ka fituar në udhëtim te Malisheva me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Ekipi i Nevil Dedes e ka marrë një fitore të madhe ndaj Malishevës, duke treguar se ekipi i tij nuk dorëzohet dhe synon t’i ikë edhe barazhit.

Në pjesën e parë të ndeshjes u zhvillua lojë e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat arritën ta shënojnë edhe nga një gol.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 12-të me anë të Mevlan Zekës, i cili kaloi vendasit në epërsi 1-0, ndërsa Ade Oguns (35’) barazoi nga penalltia në 1-1.


Në pjesën e dytë, pati shumë raste nga të dyja ekipet, por vetëm mysafirët arritën ta gjejnë rrjetën dhe të fitojnë tri pikë.

Ishte sulmuesi Ruben Silva-Richards (90+), i cili shënoi golin e fitores 2-1 dhe tri pikëve të mëdha për ferizajasit.


Pas kësaj fitore, Ferizaj ngjitet në pozitën e tetë me 26 pikë, po aq sa Llapi i shtati, teksa Malisheva mbetet e katërta me 37 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, “Ujqit” presin Prishtinën, teksa malishevasit udhëtojnë te Drenica. /Telegrafi/