Ferit Idrizi shpallet kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së
Ferit Idrizi është zgjedhur sërish kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga PDK, edhe për një mandat tjetër.
"Sot pas katër viteve pune, Dega e PDK-së në Vushtrri më ka dhënë sërish besimin duke nominuar kandidaturën time edhe për një mandat tjetër si Kryetar Komune", ka thënë Idrizi.
Ai është shprehur se "jo gjithçka është përfunduar siç kanë dashur" dhe se sipas tij, ka projekte që janë zgjatur më shumë sesa kanë planifikuar, shkruan Telegrafi.
"Por unë kam qenë gjithmonë pranë jush, në çdo lagje e fshat, në takime e vizita, me zyrën time të hapur dhe me telefonin gjithmonë në dispozicion", ka thënë tutje ai.
Më tej, Idrizi ka theksuar se i di problematikat me të cilat përballen qytetarët dhe se kanë "ende punë për të bërë bashkë".
"E di mirë me çfarë përballeni çdo ditë. Kam qenë pranë jush, i kam dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat tuaja dhe pikërisht për këtë besoj se kemi ende punë për të bërë, bashkë", ka potencuar ai. /Telegrafi/


