Edhe një prodhues gjerman i pjesëve të automobilave në krizë - dorëzon kërkesën për falimentim!
Furnizuesi i pajisjeve automobilistike Moldtecs, i cili ka një fabrikë në Sonneberg të Gjermanisë, ka paraqitur kërkesë për insolventitet, respektivisht falimentim.
Procedura pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti, konfirmoi avokati i përkohshëm i emëruar për rastin, Christoph Alexander Jacobi. Punëtorët janë njoftuar javën e kaluar për zhvillimet më të fundit.
Kompania ka theksuar disa arsye që çuan në këtë situatë dramatike, përfshirë rënien e kërkesës në treg, presionin gjithnjë e më të madh nga konkurrenca ndërkombëtare, si dhe rritjen e kostove të energjisë dhe operimit. Sipas drejtuesve të kompanisë, edhe krizat ndërkombëtare kanë ndikuar negativisht në afarizëm.
Megjithatë, nga Moldtecs bëhet e ditur se puna do të vazhdojë pa kufizime dhe se procedura e insolventitetit është përgatitur me kujdes për të rikthyer kapacitetin operativ të kompanisë.
Moldtecs prodhon pjesë plastike për industrinë automobilistike, si kolektorë të ajrit dhe kapakë të kokës së cilindrave. Fabrika në Sonneberg aktualisht punëson rreth 330 persona. Kompania ka gjithsej nëntë lokacione prodhimi në botë dhe së fundmi ka hapur fabrika të reja në Meksikë dhe Kinë.
Ndër partnerët kryesorë të Moldtecs janë gjigantët e industrisë automobilistike si Volkswagen, BMW, Nissan, Subaru, Suzuki, Toyota dhe Volvo. /Telegrafi/


