Please enter at least 3 characters.

Dyshohet për shmangie mbi 51 mijë euro, Dogana e Kosovës zbulon keqpërdorim të lirimeve doganore

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti ekonomik, nën dyshimet për keqpërdorim të procedurës së lirimit nga detyrimet doganore dhe tatimore gjatë importit të lëndës së parë për prodhim.

Sipas njoftimit, rasti është zbuluar gjatë kontrolleve të rregullta të verifikimit pas zhdoganimit, ku zyrtarët doganorë kanë kryer kontrolle dokumentare dhe fizike te një subjekt i autorizuar për import të lëndës së parë të destinuar për proces prodhues, me përfitim nga lirimet doganore dhe tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

Dogana bën të ditur se subjekti kishte realizuar importe të mallrave në vlerë totale mbi 633 mijë euro, të deklaruara si lëndë e parë për prodhim dhe të liruara nga detyrimet doganore dhe tatimore. Mallrat e importuara, sipas njoftimit, përfshinin gëzofe natyrale qengji të përpunuara për përdorim në prodhim, si dhe materiale të tjera për prodhim të artikujve tekstil dhe aksesorëve prej lëkure.

Gjatë kontrolleve në lokacionet e subjektit, Dogana thotë se janë evidentuar mospërputhje ndërmjet gjendjes faktike të mallrave dhe të dhënave të deklaruara në dokumentacionin doganor. Po ashtu, gjatë verifikimeve është konstatuar se një pjesë e mallrave të importuara nuk ndodheshin në depo, ndërsa dyshohet se ato janë transferuar te një subjekt tjetër ekonomik që nuk gëzon të drejtën e shfrytëzimit të lirimeve doganore dhe tatimore për lëndë të parë.

Në kuadër të hetimit administrativ, sipas Doganës, janë realizuar vizita të përsëritura në objektet e subjektit, ku është konstatuar mungesë e aktivitetit prodhues në kapacitetet e deklaruara, ndërsa gjatë procedurës janë siguruar edhe deklarime e dëshmi lidhur me lëvizjen dhe posedimin e mallrave të importuara.

Dogana njofton se, pas koordinimit institucional dhe interpretimit të pranuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, është konfirmuar se mallrat e importuara me përfitim nga lirimet doganore dhe tatimore nuk mund të shiten, transferohen apo barten te subjekte të tjera që nuk janë të autorizuara për shfrytëzimin e këtyre përfitimeve.

Sipas vlerësimeve preliminare, vlera doganore e mallrave të përfshira në kundërvajtje arrin mbi 285 mijë euro, ndërsa shmangia e detyrimeve tatimore është vlerësuar në mbi 51 mijë euro.

Rasti, sipas njoftimit, është referuar dhe trajtuar në bashkëpunim me njësitë relevante kompetente dhe është proceduar si kundërvajtje doganore në bazë të Kodit Doganor dhe legjislacionit tatimor në fuqi.

Dogana e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në parandalimin e keqpërdorimeve të procedurave doganore, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg dhe zbatimin e plotë të legjislacionit doganor e tatimor. /Telegrafi/