Please enter at least 3 characters.

Durrësi e Lezha nën ujë, shiu i dendur shkakton kaos

Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të shumta në qytetet e Durrësit dhe Lezhës, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve.

Në Durrës, përmbytjet janë shënuar në disa zona të qytetit, veçanërisht në kryqëzimet kryesore të rrugëve, ku uji ka pushtuar rrugët dhe trotuaret. Në disa raste, uji ka depërtuar edhe në hyrjet e pallateve dhe të bizneseve buzë rrugës, duke krijuar shqetësim për banorët dhe tregtarët.

Durrës

Ndërkohë, situata paraqitet më problematike në Lezhë, ku si pasojë e prurjeve të larta dhe pamundësisë së rrjetit të kanalizimeve për të përballuar sasinë e ujit, janë regjistruar përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.

Sipas mediave atje, niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.

Për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë, për arsye sigurie.

Lezhë

Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike.

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile janë në terren dhe po monitorojnë situatën nga afër, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar. /Telegrafi/