Duke shokuar Unitedin, Tottenhami mbetet në garë për titull (Video)
Tottenham Hotspur e ka nëpërkëmbur Manchester Unitedin duke e mposhtur me rezultat 3-0 në White Hart Lane.
Skuadra vendase pati rastet më të mira në gjysmën e parë, mirëpo Erik Lamela, Harry Kane e Kyle Walker, dështuan të shënonin.
Djajtë e Kuq nuk u treguan aspak të rrezikshëm në 45 minutat e para dhe në asnjë moment nuk e testuan portierin Hugo Lloris.
Në pjesën e dytë, saktësisht në njëzet minutat e fundit, Spursat e shokuan kundërshtarin. Fillimisht, Dele Alli e zhbllokoi rezultatin (70’), falë asistimit nga Eriksen.
Një harkim në zonë të Lamelas nga gjuajtja e lirë e shfrytëzoi Toby Alderweireld për golin e dytë (74’). Dhe vetëm dy minuta më pas, Erik Lamela u bë protagonist (76’), pas asistimit nga Danny Rose.
Tottenhami ruan diferencën prej shtatë pikësh ndaj liderit Leicester Cityt, ndërsa Manchester Unitedi mbetet prapa në garën për një vend në Ligën e Kampionëve (katër pikë prapa Manchester Cityt). /Telegrafi/


