Please enter at least 3 characters.

Duartrokitje dhe petale lulesh - merr vëmendje videoja e kurorëzimit të Dua Lipës me Callum Turner

Dua Lipa dhe Callum Turner

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa dhe aktori Callum Turner, u martuan në një ceremoni private në ndërtesën historike Old Marylebone Town Hall, ku morën pjesë vetëm familjarët dhe miqtë më të afërt.

Në videon e publikuar nga shërbimi i regjistrimeve të Westminsterit, çifti shihet duke dalë nga ceremonia dorë për dore, ndërsa të ftuarit i presin me konfeti dhe duartrokitje.

Dua dhe Callum ndalen për t’u dërguar puthje të pranishmëve përpara se të largohen me një taksi londineze.

Callum Turner dhe Dua Lipa

Për këtë ditë të veçantë, Dua u shfaq elegante me një kostum të bardhë të personalizuar nga shtëpia e modës Schiaparelli, të kombinuar me doreza të bardha, një varëse nga Bulgari dhe një kapelë të bardhë të gjerë.

Ajo mbante gjithashtu një buqetë me lule dhe këpucë të bardha me taka.

Megjithëse tani janë ligjërisht të martuar, festa sapo ka filluar.

Çifti pritet të organizojë një dasmë luksoze treditore në Palermo, e cila do të zgjasë nga e enjtja deri të shtunën dhe po cilësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në botën e showbiz-it.

Callum Turner dhe Dua Lipa

Ceremonia kryesore do të zhvillohet në Villa Valguarnera, ndërsa festa përmbyllëse do të mbahet në pallatin historik Palazzo Gangi.

Në këtë event pritet të marrin pjesë rreth 300 të ftuar, përfshirë emra të njohur nga muzika dhe moda.

Mes të ftuarve të përfolur janë Elton John, Charli XCX, Mark Ronson, si dhe Donatella Versace.

Madje, sipas raportimeve, Donatella Versace po përgatit një fustan të veçantë për Duan, i cili mund të jetë pjesë e ceremonisë së madhe në Sicili.

Dua Lipa dhe Callum Turner

Dasma e çiftit po tërheq vëmendje të madhe ndërkombëtare, ndërsa fansat presin me padurim pamje të tjera nga festa luksoze që do të zhvillohet në Sicili. /Telegrafi/