Dua Lipa rikthen traditën shqiptare në Sunny Hill, vallëzon me tasin e pijes në kokë gjatë performancës së Dhurata Dorës
Një nga momentet më të komentuar të Sunny Hill Festival erdhi gjatë performancës së Dhurata Dorës, kur Dua Lipa tërhoqi vëmendjen me një veprim që lidhet ngushtë me atmosferën dhe traditat shqiptare.
Teksa po shijonte koncertin mes miqve të saj, ylli ndërkombëtar i muzikës u pa duke vallëzuar me një tas me pije të vendosur mbi kokë, një zakon i njohur në shumë gëzime shqiptare, ku të pranishmit kërcejnë duke ruajtur ekuilibrin e një tasi mbi kokë.
Dua Lipa, e rrethuar nga miqtë e saj, vazhdoi të kërcente dhe të shijonte atmosferën e krijuar në festival, ndërsa në një moment tasi i ra nga koka, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.
Megjithatë, këngëtarja vazhdoi të vallëzonte dhe të festonte, duke u bërë pjesë e atmosferës së veçantë të Sunny Hill.
Ky nuk është një moment i ri për Duan, pasi ajo është parë duke e bërë të njëjtën gjë edhe vite më parë, duke treguar edhe një herë afërsinë e saj me zakonet dhe kulturën shqiptare.
Momenti u shpërnda shpejt në rrjetet sociale, ku fansat e vlerësuan si një tjetër dëshmi të lidhjes së artistes me origjinën e saj dhe mënyrën autentike se si ajo e shijon atmosferën shqiptare. /Telegrafi/


